Find out more here!
About the Clean Clothes Campaign and the Fashioning a Just Transition Manifesto
Drafti përfundimtar i Manifestit – Version vetëm për lexim
Ky është versioni vetëm për lexim i draftit të parë të Manifestos për një Tranzicion të Drejtë në Industrinë e Modës, i publikuar më 1 mars 2026.
Klikoni “MERRNI PJESË!” për të komentuar dhe votuar mbi Manifestin përpara datës 24 mars. Duke qenë se ky redaktim përfundimtar është rezultat i shumë orëve pune dhe i diskutimeve e shkëmbimeve të shumta, jemi veçanërisht të interesuar të dëgjojmë nëse ka ndonjë element që mund t’ju pengojë ta mbështesni këtë tekst.
Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet dhe jepni mendimin tuaj brenda afatit!
Krijimi i një Tranzicioni të Drejtë
Një manifest për vendosjen e të drejtave të punëtorëve në qendër të veprimeve për një tranzicion të drejtë klimatik.
Hyrje
Imagjinoni një sistem të drejtë mode që i vë njerëzit para fitimeve. Një sistem që përmbush vërtet nevojat e të gjithëve pa shfrytëzuar punonjësit ose pa dëmtuar mjedisin. Kjo është e mundur – por vetëm nëse ngrihemi së bashku për të mbrojtur të drejtën tonë për një jetesë të denjë dhe për një të ardhme më të mirë. Manifesti ynë paraqet vizionin tonë të përbashkët për një sistem mode të drejtë që krijon dhe mbron vende pune të denja dhe të qëndrueshme ndaj ndryshimeve klimatike, në një planet të shëndetshëm.
Standardet e ulëta të jetesës. Rritja e temperaturave globale. Dhuna me bazë gjinore dhe racore. Kolapsi ekologjik. Sfidat më të mëdha të kohës sonë lidhen me shfrytëzimin e njerëzve dhe të planetit për përfitimin e një pakice. Industria e sotme e modës mbështetet mbi një pabarazi të thellë të pushtetit dhe pasurisë në nivel global, e formësuar nga shekuj kolonializmi dhe imperializmi. Kompanitë më të mëdha të modës vazhdojnë të pasurohen, ndërsa miliona punonjës në industrinë e veshjeve – shumë prej tyre gra – janë të nënpaguar, të mbingarkuar me punë dhe pa mbrojtjen e nevojshme.
Çdo vit prodhohen miliarda veshje nga markat e modës, një model prodhimi që mbështetet në shfrytëzimin e punonjësve dhe në përdorimin intensiv të burimeve natyrore. Modelet e tyre të mbiprodhimit po shterojnë tokën, po ndotin ujin dhe ajrin, po nxisin shpyllëzimin dhe humbjen e biodiversitetit, si dhe po rrisin emetimet që përshpejtojnë ngrohjen globale. Ndërkohë, vendgrumbullimet e mbetjeve dhe lumenjtë po mbushen me rroba pothuajse të papërdorura, duke i ngarkuar komunitetet me sasi gjithnjë e më të mëdha mbetjesh tekstile ndotëse.
Kriza klimatike dhe ekologjike nuk është një kërcënim i largët. Ajo tashmë është këtu dhe po thellon pabarazitë ekzistuese. Të njëjtët punonjës që përpiqen të sigurojnë jetesën po paguajnë çmimin më të lartë të krizës klimatike. Përmbytjet, zjarret, stuhitë dhe valët e të nxehtit po mbyllin vende pune, po rrezikojnë të ardhurat dhe po vënë në rrezik shëndetin dhe sigurinë e punonjësve. Objektivat gjithnjë e më të larta të prodhimit po bëhen të pamundura për t’u përmbushur në kushtet e motit ekstrem. Pagat e ulëta dhe mungesa e mbrojtjes sociale i lënë punonjësit pa asnjë rrjet sigurie kur ndodhin katastrofa. Ndërkohë, pengimi i organizimit sindikal po i hesht kërkesat dhe zërin e punonjësve.
Ndryshimi është i mundur, por kaq shumë ‘zgjidhje klimatike’ të promovuara nga qeveritë dhe markat e modës po i lënë punëtorët në një gjendje edhe më të keqe. Vendet e punës po humbasin, pagat po mbeten të papaguara dhe punëtorët po përjashtohen nga vendimet për të ardhmen e tyre, të cilat po formësojnë jetën e tyre sot
Ne e dimë se nuk mund të rregullojmë një industri që ka probleme që në mënyrën si është ndërtuar. Përkundrazi, po ndërtojmë një sistem të ri dhe më të drejtë të modës, që vendos në qendër dinjitetin e punëtorëve dhe rikthimin e ekuilibrit të planetit tonë. Ky ndryshim nuk do të ndodhë brenda natës. Ai kërkon një kombinim reformash afatshkurtra dhe një transformim afatgjatë të sistemit. Këto dy drejtime të ndryshimit ndërtojnë mbi njëra-tjetrën në përpjekjen e vazhdueshme për një industri të modës më të drejtë
Manifesti ynë paraqet një sërë parimesh për një sistem të drejtë të modës, të cilat duhet të shërbejnë si bazë për çdo veprim që lidhet me të ardhmen e kësaj industrie. Një sistem i drejtë i modës është ai që:
· garanton punë të denjë, një cilësi të mirë jete dhe të drejta të barabarta për të gjithë punonjësit përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit.
· garanton drejtësi në të gjitha dimensionet – sociale, ekonomike, gjinore dhe klimatike – sot dhe në të ardhmen.
· rishpërndan pasurinë në mënyrë më të drejtë, duke e çuar atë në duart e punëtorëve.
· siguron që kostot e përshtatjes dhe të zbutjes së ndryshimeve klimatike të ndahen në mënyrë të drejtë.
· formësohet nga vendime të marra me dhe nga vetë punonjësit.
· kontribuon në rigjenerimin e natyrës dhe vepron brenda kufijve ekologjikë të planetit.
· redukon mbiprodhimin, duke rritur njëkohësisht sigurinë në punë.
· mban kompanitë dhe drejtuesit e tyre përgjegjës për çdo dëm që shkaktojnë.
· promovon mënyra të reja dhe më të drejta për prodhimin, transportin, shitjen, përdorimin dhe vlerësimin e veshjeve.
· ndërtohet përmes forcës së veprimit kolektiv dhe solidaritetit global.
Kush jemi ne
Ne jemi njerëzit që i prodhojnë dhe i veshin rrobat. Jemi aktivistë, lëvizje sociale dhe mjedisore, organizata të shoqërisë civile, punonjës të industrisë së veshjeve, sindikata, organizata për të drejtat e punës dhe aleatë të tjerë, të bashkuar në mbarë botën , të bashkuar në përpjekjen për një botë që vendos në qendër nevojat e punonjësve dhe të njerëzve. Së bashku, ne po ngremë zërin për një sistem të drejtë të modës që respekton të drejtat e punonjësve dhe rikthen ekuilibrin e natyrës.
Vizioni ynë është një tranzicion drejt një sistemi të drejtë të modës ku…
#1 Puna e denjë garantohet për çdo punonjës, pavarësisht vendndodhjes apo llojit të punës.
Një sistem i drejtë i industrisë së modës mbështetet në dinjitet, drejtësi dhe barazi për të gjithë punonjësit. Të gjithë punonjësit sot e në të ardhmen , kanë të drejtë për kushte pune të denja , të sigurta dhe të shëndetshme, të lira nga ngacmimi, abuzimi dhe dhuna me bazë gjinore. Të drejtat e punonjësve respektohen në të gjithë zinxhirin e furnizimit, duke fuqizuar njerëzit që prodhojnë, shesin, mbledhin, klasifikojnë, shpërndajnë, riparojnë dhe trajtojnë veshjet në fund të përdorimit të tyre. Këto të drejta u përkasin të gjithëve, pa dallim race, gjinie, klase, moshe, orientimi seksual, aftësie fizike, status migrimi, statusi punësimi, lloj kontrate apo vendi pune. Puna e denjë duhet të garantohet sot, gjatë gjithë procesit të tranzicionit drejt një sistemi të drejtë të modës, si dhe në të ardhmen.
Përkufizime
· Punë e denjë: Koncept i zhvilluar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), që nënkupton punë produktive për të gjithë në kushte lirie, barazie, sigurie dhe dinjiteti njerëzor.për punë produktive për të gjithë, në kushte lirie, barazie, sigurie dhe dinjiteti njerëzor.
· Tranzicion i drejtë: Sigurimi që kalimi drejt një ekonomie me emetime të ulëta karboni të jetë i drejtë dhe gjithëpërfshirës, pa lënë askënd pas. Kjo kërkesë ka origjinën në lëvizjen sindikale dhe është përfshirë edhe në Marrëveshjen e Parisit të vitit 2015.
#2 Mbrojtja sociale universale u mundëson të gjithëve të jetojnë një jetë të denjë dhe të qëndrueshme përballë krizës klimatike.
Qeveritë dhe kompanitë përshtatin vendet e punës për të mbrojtur punonjësit nga ndikimet e drejtpërdrejta të një mjedisi në ndryshim. Sistemet universale të mbrojtjes sociale forcojnë jo vetëm qëndrueshmërinë e punonjësve, por edhe qëndrueshmërinë kolektive të shoqërisë ndaj krizave sociale dhe klimatike. Të gjithë duhet të kenë akses në përfitimet bazë të mbrojtjes sociale, si raport mjekësor, pagesë për lejen e lindjes, kompensim në rast të ndërprerjes së marrëdhënies së punës, pension dhe përfitime papunësie. Shpenzimet publike duhet t’i shërbejnë interesit të njerëzve duke mbështetur mbrojtjen sociale, të drejtat e punonjësve dhe paga jetese dhe jo duke financuar modele ekonomike që shkaktojnë dëme sociale dhe mjedisore. Ligjet dhe marrëveshjet e zbatueshme me markat (si Marrëveshja Ndërkombëtare – International Accord) i mbajnë markat përgjegjëse për mirëqenien dhe sigurinë e punonjësve. Markat duhet të kontribuojnë financiarisht në sistemet publike të mbrojtjes sociale në vendet nga të cilat furnizohen, përveç pagesave që kryhen nga furnizuesit e tyre.
Përkufizime
· Mbrojtja sociale: Një kombinim i masave të mbrojtjes në punë që përfshin pagat, kushtet e punës dhe standardet e shëndetit dhe sigurisë në punë; sistemet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore – si pagesa për raportin mjekësor, pagesa për lejen e lindjes, kompensimi në rast të ndërprerjes së marrëdhënies së punës, pensionet e pleqërisë dhe përfitimet e papunësisë – si dhe shërbimet publike, përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe trajnimin profesional. Këto masa synojnë të përmirësojnë jetesën e punonjësve dhe t’i mbrojnë ata nga humbja e të ardhurave në periudha pasigurie ose krize.
· Marrëveshja Ndërkombëtare për Shëndetin dhe Sigurinë në Industrinë Tekstile dhe të Veshjeve (International Accord for Health and Safety in the Textile and Garment Industry): Një marrëveshje ligjërisht detyruese ndërmjet markave dhe sindikatave, e krijuar pas shembjes tragjike të ndërtesës Rana Plaza në Bangladesh në vitin 2013. Kjo marrëveshje siguron që fabrikat që furnizojnë markat nënshkruese të inspektohen dhe që çdo rrezik i identifikuar për shëndetin dhe sigurinë të adresohet dhe të korrigjohet.
· Marrëveshje të detyrueshme me markat (Enforceable brand agreements): Marrëveshje ligjërisht detyruese të negociuara, zbatuara dhe nënshkruara nga të paktën një markë dhe sindikatat lokale, të cilat i mbajnë markat përgjegjëse për kushtet e punës dhe respektimin e të drejtave të punonjësve në të gjithë zinxhirin e tyre të furnizimit.
#3 Jetesa e punonjësve vendoset përpara fitimeve të kompanive.
Një sistem i drejtë mode përmirëson jetën e punonjësve, familjeve të tyre dhe komuniteteve ku ata jetojnë. Pasuria e krijuar nga industria shpërndahet në mënyrë të drejtë, duke vendosur nevojat e njerëzve dhe të mjedisit përpara fitimeve të drejtuesve të kompanive dhe aksionerëve. Pagat e jetesës për të gjithë u mundësojnë njerëzve të përballojnë nevojat bazë të jetës dhe të krijojnë kursime. Kompanitë dhe pronarët e tyre paguajnë pjesën e tyre të drejtë të taksave përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit, duke mundësuar sisteme të mbrojtjes sociale për të gjithë dhe duke mbështetur përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike. Investimet publike dhe private largohen nga kompanitë që përfitojnë nga praktika, që shkaktojnë dëme sociale dhe mjedisore dhe orientohen drejt organizatave që promovojnë modele të reja të kujdesit, barazisë dhe drejtësisë. Kompanitë duhet të përfshijnë në praktikat e tyre të blerjes kostot reale të pagave të jetesës, mbrojtjes sociale dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike. Tranzicioni drejt një sistemi të drejtë të modës financohet në mënyrë të drejtë. Kompanitë dhe vendet që historikisht kanë kontribuar më shumë në krizën klimatike duhet të mbajnë pjesën më të madhe të kostove të përshtatjes dhe të zbutjes së saj.
Përkufizime
· Drejtuesit ekzekutivë: Punonjës të rangut të lartë në kompani, si drejtori ekzekutiv dhe drejtorë të tjerë, të cilët udhëheqin dhe menaxhojnë kompaninë.
· Aksionerët: Një individ ose kompani që investon në një kompani në këmbim të pronësisë së pjesshme dhe të mundësisë për përfitime financiare.
· Praktikat e blerjes: Mënyra se si kompanitë bashkëpunojnë dhe blejnë nga furnizuesit e tyre, përfshirë kushtet e pagesës, afatet dhe vëllimet e porosive. Praktikat e dobëta të blerjes, si çmime shfrytëzuese, anulime apo ndryshime të porosive në momentin e fundit, ose uljet e çmimeve dhe faturat e papaguara në kohë, ndikojnë negativisht në të drejtat e punonjësve duke ulur pagat dhe duke rritur presionin për prodhim dhe orë shtesë të papaguara.
· Përshtatja: Marrja e masave për t’u përgatitur, për të ulur cenueshmërinë dhe për të rritur qëndrueshmërinë ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike.
· Zbutja e ndryshimeve klimatike: Marrja e masave për të reduktuar ose parandaluar emetimet, me qëllim kufizimin e intensitetit të ngrohjes globale.
#4 Të gjithë kanë të drejtë të marrin pjesë në vendimmarrjet që ndikojnë në jetën e tyre.
Njerëzit që prodhojnë, shesin, mbledhin, klasifikojnë, shpërndajnë, riparojnë dhe menaxhojnë mbetjet e veshjeve kanë një vend demokratik në tryezën e vendimmarrjes. Ne organizohemi lirisht në sindikata të pavarura dhe në lëvizje shoqërore për të negociuar kushte më të mira pune dhe mbrojtje ndaj ndryshimeve klimatike. Punonjesit kanë një rol më të madh në pronësinë dhe drejtimin e vendit të tyre të punës për të përcaktuar kushtet e punës. Edukimi mbi të drejtat e tyre i pajis punonjësit me njohuritë e nevojshme për t’i mbrojtur dhe avancuar ato. Trajnimet mbi sfidat klimatike dhe ekologjike u mundësojnë punonjësve të marrin pjesë në vendimmarrjen për të ardhmen e industrisë – në çdo fazë. Rishpërndarja e fitimeve dhe respektimi i kufijve të planetit mbështeten nga ligje të forta të punës, marrëveshjeve kolektive dhe dialogut social.
Çdokush mund të shprehë mendimin e tij pa frikë apo represion.
Përkufizime
· Marrëveshje kolektive: Marrëveshje transparente, ligjërisht të detyrueshme dhe të zbatueshme ndërmjet punëdhënësve dhe punonjësve për kushtet e punës, të negociuara nga sindikatat.
· Dialog social: Një mënyrë përmes të cilit punonjësit avancojnë interesat e tyre dhe përmirësojnë kushtet e punës përmes negociatave, konsultimeve dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet përfaqësuesve të punonjësve, punëdhënësve dhe qeverive mbi politikat sociale dhe ekonomike.
#5 Prodhimi i veshjeve plotëson nevojat e të gjithëve duke respektuar kufijtë e planetit.
Toka nuk mund të përballojë modelin aktual të prodhimit masiv, të bazuar në shfrytëzimin intensiv të burimeve dhe në trende të përkohshme. Në një sistem të drejtë të modës, markat e modës mbajnë përgjegjësi për të gjithë ciklin jetësor të produkteve të tyre, nga lëndët e para deri në fundin e jetës së produktit. Veshjet me cilësi të lartë dhe me vlerë projektohen për të qëndruar në përdorim për një kohë të gjatë dhe rrallë hidhen poshtë. Markat financojnë sistemet e menaxhimit të mbetjeve dhe mbrojnë punonjësit dhe komunitetet nga ndikimet mjedisore dhe shëndetësore të mbetjeve tekstile. Përdorimi i burimeve përcaktohet nga nevojat reale globale dhe lokale. Prodhimi i drejtë i veshjeve shkon përtej minimizimit të gjurmës klimatike dhe ekologjike — ai nxit në mënyrë aktive një marrëdhënie rigjeneruese me Tokën dhe me të gjitha speciet e saj të gjalla.
#6 Puna e denjë, siguria në punë dhe pagat rriten ndërsa vëllimet e prodhimit bien.
Çmimet e veshjeve pasqyrojnë koston reale të punës, duke nxitur rritjen e pagave të jetesës dhe uljen e orëve shtesë dhe të vëllimeve të prodhimit. Modelet e prodhimit më të ngadalta mbështesin një sistem të drejtë të modës për të minimizuar emetimet, për të ndalur ngrohjen globale dhe për të rikthyer biodiversitetin. Qeveritë në bashkëpunim me aktorët e industrisë, zhvillojnë plane për transformimin e prodhimit të veshjeve. Të gjitha ndryshimet negociohen me kujdes me punonjësit dhe sindikatat e tyre për të parandaluar humbje të menjëhershme të vendeve të punës, mbyllje të vendeve të punës dhe pasiguri në të ardhura. Garancitë për pagat, sistemet e mbrojtjes sociale dhe rrugët alternative të punësimit ofrojnë siguri më të madhe në punë. Punonjësit njoftohen paraprakisht për mbylljen e vendeve të punës dhe kanë të drejtë për kompensim në rast largimi nga puna. Planet e përgjegjshme të tërheqjes nga tregu sigurojnë që askush të mos mbetet pas.
Mundësitë për rikualifikim dhe përmirësim të aftësive u ofrojnë punonjësve mundësi për punë më të sigurta dhe më të qëndrueshme ndaj ndikimeve klimatike, ose për alternativa të tjera punësimi ndërsa industria përshtatet me ndryshimet klimatike. Marrëdhëniet tregtare dhe mbështetja ndërkombëtare i pajisin vendet prodhuese që të ndërtojnë fuqinë e tyre ekonomike në sektorë të tjerë për të lehtësuar barazinë globale në krijimin e vendeve të reja të gjelbra të punës. Markat globale, furnizuesit, investitorët dhe qeveritë marrin përgjegjësi të përbashkët për mbrojtjen e vendeve të punës, duke siguruar marrëdhënie afatgjata furnizimi dhe mundësi për rikualifikim profesional.
Përkufizime
· Kufijtë planetarë: Nëntë sisteme të ndërlidhura që mbështesin jetën dhe rregullojnë stabilitetin e planetit. Qëndrimi brenda këtyre kufijve ndihmon në parandalimin e ndryshimeve të pakthyeshme mjedisore.
· Kompensimi për ndërprerjen e marrëdhënies së punës: Një paketë financiare për të cilën punëtorët kanë të drejtë kur marrëdhënia e tyre e punës përfundon në mënyrë të pavullnetshme, për shembull kur një vend pune mbyllet ose pozicioni i tyre shpallet i tepërt.
#7 Kompanitë mbajnë përgjegjësi për çdo dëm që shkaktojnë.
Angazhimet vullnetare nuk mjaftojnë për të garantuar drejtësi; nevojiten rregulla globale ligjërisht të detyrueshme. Një sistem i drejtë i modës i mban kompanitë ligjërisht dhe financiarisht përgjegjëse për çdo dëm që ato shkaktojnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi. Sipas ligjit, përgjegjësia e kompanive ndaj punonjësve shtrihet në të gjithë zinxhirin e furnizimit dhe gjatë gjithë ciklit jetësor të produkteve të tyre. Përgjegjësia është e gjerë dhe i bën markat e modës bashkë - përgjegjëse për veprimtarinë e furnizuesve të tyre, pavarësisht se ku ndodhet selia e tyre. Të gjitha markat duhet të vlerësojnë rregullisht zinxhirin e tyre të furnizimit për të identifikuar dhe parandaluar rreziqet për të drejtat e njeriut, si dhe për të korrigjuar çdo shkelje të këtyre të drejtave. Ligjet e detyrueshme për transparencë bëjnë të mundur që pretendimet, politikat dhe praktikat e biznesit të kompanive të kontrollohen dhe verifikohen lehtësisht.
Një sistem i drejtë i modës nuk synon vetëm të parandalojë dëmet e ardhshme; ai gjithashtu adreson dëmet e së kaluarës dhe korrigjon pabarazitë globale të pushtetit. Markat e modës paguajnë dëmshpërblime për padrejtësitë historike ndaj punëtorëve dhe korrigjojnë çdo rast shkeljeje, përfshirë shkeljet aktuale dhe të ardhshme të të drejtave të punës, si edhe dëmet e shkaktuara nga keq përshtatja ndaj ndryshimeve klimatike. Çdo punonjës mund të kërkojë drejtësi lehtësisht dhe pa frikë nga hakmarrja.Autoritetet kombëtare të punës duhet të jenë të financuara dhe të pajisura mirë për të monitoruar në mënyrë efektive industrinë e modës dhe për të siguruar që të gjitha kompanitë të respektojnë ligjin.
Përkufizim
· Keqpërshtatje: Masa përshtatëse që rrisin cenueshmërinë, ekspozimin ose rrezikun e punonjësve ndaj përkeqësimit të krizës klimatike, në vend që ta ulin atë.
#8 Veshjet vlerësohen duke njohur punën e njerëzve që i krijojnë ato.
Veshjet plotësojnë të gjitha nevojat tona – individuale, kolektive, funksionale, emocionale dhe krijuese – jo marzhet e fitimit të kompanive. Ndryshimet në prodhim, paga universale jetese dhe një ekonomi e zhvilluar e ndarjes rrisin aksesin në alternativa të qëndrueshme të modës. Gardërobat ndërtohen gradualisht me rroba të prodhuara në mënyrë etike, të cilat vlerësohen dhe ruhen për një kohë të gjatë. Rrobat ripërdoren, riparohen, rishiten, shkëmbehen, dhurohen, transformohen dhe riciklohen. Shërbimet e rrobaqepësisë, shkëmbimet e rrobave, dyqanet dhe tregjet e veshjeve të përdorura, punëtoritë e riparimit dhe edukimi për kujdesin ndaj veshjeve ndihmojnë që ato të qëndrojnë në përdorim për sa më gjatë. Reklamat, rrjetet sociale dhe botimet e modës promovojnë aspirata të reja: jetëgjatësinë dhe mjeshtërinë e cilësisë së lartë, në vend të trendeve të lira dhe kalimtare. Marketingu që nxit shfrytëzimin e punonjësve dhe shkatërrimin e mjedisit ndalohet. Konsumi më i ngadaltë dhe më i ndërgjegjshëm krijon hapësirë për të vepruar së bashku dhe për të jetuar në komunitet. Ne nuk e shohim veten vetëm si konsumatorë. Ne i vlerësojmë veshjet si një formë shprehjeje kulturore dhe individuale dhe respektojmë punën që është bërë për t’i prodhuar ato.
#9 Moda e drejtë mbështetet në solidaritet global dhe veprim kolektiv.
Solidariteti është filli që lidh njerëzit që prodhojnë dhe veshin rroba. Fuqia jonë kolektive qëndron në organizimin në sindikata, në mbështetjen e betejave të punonjësve, në ushtrimin e presionit ndaj markave dhe qeverive për të mbështetur një industri të drejtë të modës dhe në refuzimin e kulturës së konsumit të tepërt. Ndërtimi i komuniteteve, ndihma reciproke dhe ndarja e aftësive forcojnë qëndrueshmërinë në përpjekjen tonë të përbashkët për drejtësi sociale dhe klimatike. Çdo veprim individual bën dallim, por ne jemi më të fortë kur veprojmë së bashku. Ndryshimi nuk fillon në zyrat e drejtuesve të kompanive. Ai fillon me ne: prodhuesit dhe përdoruesit e rrobave. E ardhmja jonë e përbashkët është në duart tona për ta formësuar. Bëjeni zërin tuaj të dëgjohet për një të ardhme të drejtë të modës. Nënshkruani manifestin dhe angazhohuni për të ndërtuar një botë që vendos njerëzit dhe planetin përpara fitimit.
Ky është versioni vetëm për lexim – klikoni “MERRNI PJESË!” për të komentuar, votuar dhe propozuar ndryshime në pjesët e manifestit.
Sigurohuni që zëri juaj të dëgjohet dhe jepni mendimin tuaj brenda afatit!