Zbuloni më shumë këtu!
Rreth fushatës së rrobave të pastra dhe Manifestit të Krijimit të një Tranzicioni të Drejtë
Diskutoni Manifestin për Tranzicionin e Drejtë!
0. Tranzicioni i Drejtë për Gratë në Industrinë e Veshjeve
Industria e modës është e dështuar që në vetë strukturën e saj. Markat miliardere pasurohen në kurriz të njerëzve dhe planetit. Miliona punëtore dhe punëtorë të industrisë së veshjeve janë të nën-paguar, të mbingarkuar me punë dhe të pambrojtur. Kushtet e drejta të punës mbeten dytësore përballë lakmisë korporative. Ndërkohë, çdo vit prodhohen miliarda veshje përmes shfrytëzimit të punës dhe shfrytëzimit të burimeve natyrore.
Moda është një industri me vlerë triliona dollarë. Megjithatë, kjo pasuri mbush xhepat e drejtorëve ekzekutivë dhe aksionarëve – jo të njerëzve që prodhojnë rrobat tona. Nga pagat e varfërisë dhe shtypja e sindikatave, te kushtet e pasigurta të punës dhe dhuna me bazë gjinore, punëtoret dhe punëtorët e industrisë së veshjeve luftojnë çdo ditë për dinjitetin dhe jetesën e tyre.
Të njëjtët punëtorë që mezi sigurojnë jetesën po paguajnë sot çmimin më të lartë të krizës klimatike. Përmbytjet, zjarret, tërmetet, stuhitë dhe thatësirat mbyllin fabrika dhe vënë në rrezik vendet e punës. Pagat e ulëta i lënë punëtorët pa asnjë mbështetje kur ndodhin fatkeqësi. Pushimet e kufizuara për të pirë ujë në ambiente pune pa ajrosje i bëjnë valët e të nxehtit të padurueshme. Ndërkohë, drejtuesit e pasur të industrisë së modës marrin vendime për klimën nga zyra të largëta me ajër të kondicionuar, duke injoruar realitetin e punëtorëve.
Industria e modës është një nga industritë më ndotëse në botë. Ajo shteron tokat, ndot dhe helmon ujin, ndot ajrin, nxit shpyllëzimin dhe humbjen e biodiversitetit, si dhe çliron emetime që ngrohin planetin. Ky ortek veshjesh përfundon shpejt në vendgrumbullime mbetjesh, duke rënduar komunitetet që ndodhen në vijën e parë të krizës së mbetjeve tekstile me një problem që nuk e kanë krijuar vetë. Mbiprodhimi mbështetet te pagat e ulëta dhe niveli i lartë i mbetjeve.
Por një rrugë tjetër është e mundur. Punëtoret dhe punëtorët e industrisë së veshjeve në mbarë botën po luftojnë për një të ardhme që vendos në qendër nevojat e tyre. Ata po organizohen në sindikata për t’u përballur me markat e fuqishme. Po rimarrin të drejtat e tyre për një jetë të denjë dhe një të ardhme të jetueshme. Dhe po na bëjnë thirrje që të forcojmë zërin e kërkesave të tyre për një tranzicion të drejtë drejt një bote të gjelbër dhe të drejtë.
Ky Manifest paraqet vizionin tonë të përbashkët për një sistem tjetër mode, një sistem që vendos në qendër dinjitetin e punëtorëve dhe mbrojtjen e planetit tonë. Kur shfrytëzimi i punëtorëve dhe i natyrës për përfitim janë të lidhur ngushtë, po aq e lidhur është edhe beteja për drejtësi sociale dhe klimatike. Sigurimi i së ardhmes së industrisë së modës do të thotë të largohemi nga sistemet e vjetra që shkaktojnë dëm dhe të përqafojmë mënyra të reja, të drejta, për prodhimin dhe konsumimin e veshjeve. Ndryshimi i vërtetë nuk vjen nga lart; tranzicioni i drejtë duhet të udhëhiqet nga punëtorët dhe të sigurojë punë të denjë në një planet të shëndetshëm.
1. Moda ndërtohet mbi vlerat e barazisë, drejtësisë, solidaritetit dhe kujdesit për njerëzit dhe planetin.
Sistemi i ri i modës hedh poshtë modelin kapitalist merre–prodho–hidhe dhe gjithçka që ai përfaqëson: shfrytëzimin e punëtorëve, rritjen e pakufizuar, pabarazinë e pasurisë dhe dëmtimin e mjedisit. Kujdesi i përbashkët shtrihet te punëtorët, te shtëpia jonë e përbashkët dhe te mënyra si i përdorim rrobat tona. Solidariteti është fija që lidh njerëzit që prodhojnë dhe ata që veshin rrobat.
Moda funksionon mbi parimet e ndershmërisë, barazisë dhe drejtësisë. Kostot financiare dhe njerëzore të krizës klimatike nuk bien më mbi ata që tashmë mbajnë barrën më të rëndë. Tranzicioni i drejtë jo vetëm që formëson të ardhmen, por edhe adreson dëmet e së shkuarës. Pabarazitë globale dhe çekuilibrat e pushtetit korrigjohen. Dëmet shpërblehen. Ndotësit më të mëdhenj mbajnë përgjegjësinë për kostot e përshtatjes.
2. Industria e modës udhëhiqet nga punëtorët dhe sindikatat, jo nga miliarderët.
Rruga drejt një të ardhmeje të drejtë dhe të gjelbër ndërtohet mbi nevojat dhe ekspertizën e punëtorëve. Ata që janë më të cenueshëm nga kriza klimatike kanë zërin më të fortë në vendimmarrje. Punëtorët marrin pjesë lirisht në sindikata për të përmirësuar kushtet e tyre të punës dhe për të mbrojtur klimën në nivel lokal. Modele të ndryshme të qeverisjes së përbashkët u japin atyre më shumë kontroll dhe përgjegjësi mbi vendin e punës. Balanca e pushtetit anon më në fund në favor të punëtorëve.
Të gjithë punëtorët gëzojnë të drejta të barabarta, pavarësisht racës, gjinisë, klasës, moshës, orientimit seksual, statusit ligjor, statusit të punësimit apo vendndodhjes së tyre. Një transformim gjithëpërfshirës i sistemit përfshin njerëzit që prodhojnë, shesin, mbledhin, klasifikojnë, shpërndajnë, riparojnë dhe asgjësojnë rrobat. Askush nuk mbetet pas.
3. Mirëqenia e punëtorëve ka përparësi ndaj fitimeve të miliarderëve.
Pasuria transferohet nga duart e disa miliarderëve të industrisë së modës te miliona punëtorë. Fitimet ndahen në mënyrë të drejtë dhe të gjithë paguhen me pagë jetese. Hendeku i madh mes pagave të punëtorëve dhe atyre të drejtorëve ekzekutivë po ngushtohet. Kompanitë paguajnë pjesën e tyre të drejtë të taksave. Kapitali i investitorëve largohet nga kompanitë që përfitojnë nga dëmi dhe drejtohet drejt prodhuesve që përqafojnë modele të reja kujdesi dhe përgjegjësie. Markat mbulojnë kostot klimatike dhe u sigurojnë furnitorëve burimet e nevojshme për t’u përshtatur. Moda pasuron jetën e punëtorëve, familjeve të tyre dhe komuniteteve lokale.
4. Kushtet e sigurta dhe të denja të punës garantohen, pavarësisht vendndodhjes.
Të gjithë punëtorët gëzojnë kushte dhe orar pune të drejta, pavarësisht nëse punojnë në fabrikë apo në shtëpi. Vendet e punës janë të lira nga rreziqet për shëndetin dhe sigurinë, si dhe nga çdo formë ngacmimi, abuzimi dhe dhune me bazë gjinore. Mekanizma ndërkombëtarë ligjërisht detyrues, si Marrëveshja Accord për Shëndetin dhe Sigurinë në Punë, garantojnë shëndetin dhe sigurinë në vendin e punës dhe mbrojnë punëtorët nga ndikimet ekstreme të krizës klimatike.
5. Moda përmbush nevojat e të gjithëve duke respektuar kufijtë e planetit.
Industria e modës zëvendëson trendet e përkohshme të prodhimit masiv dhe përqafon veshje cilësore, me vlerë dhe jetëgjatësi. Ulja graduale e prodhimit i jep natyrës hapësirë për t’u rikuperuar dhe zvogëlon ndikimin mjedisor të modës. Askush nuk nxitet drejt konsumit të tepruar përmes praktikave manipuluese të marketingut. Ne marrim nga toka vetëm atë që na nevojitet vërtet.
6. Siguria në punë rritet teksa volumi i prodhimit bie.
Prodhimi i veshjeve pasqyron koston reale të punës, duke ulur mbiprodhimin. Kujdes i veçantë tregohet që gjatë këtij procesi të mos humbasin mirëqënien e punëtorëve. Modele të reja biznesi krijojnë mundësi të reja për zhvillim. Punëtorët rikualifikohen dhe aftësohen për role dhe profesione të reja. Markat dhe qeveritë mbështesin përpjekjet për trajnimin e tyre. Përshtatja udhëhiqet nga nevojat e vetë punëtorëve.
7. Të gjithë punëtorët kanë një rrjet sigurie në një botë që po ngrohet.
Mbrojtja sociale i mbron punëtorët në kohë krizash dhe përballë pasojave të ndryshimeve klimatike. Punëtorët kanë raporte shëndetësore, leje lindje, dëmshpërblim për largim nga puna dhe përfitime papunësie ku të mbështeten. Qeveritë ofrojnë skema të mbrojtjes sociale që parandalojnë dhe zbusin dëmet klimatike për njerëzit, si në vendin e punës ashtu edhe në jetën e përditshme. Shpenzimet publike riorientohen nga prioritetet ushtarake dhe përqendrohen te garantimi i pagave të jetesës, trajnimi dhe rikualifikimi profesional, si dhe te skemat e mbrojtjes sociale për të gjithë punëtorët, duke u dhënë atyre mundësinë për një jetë dinjitoze dhe të qëndrueshme përballë krizës klimatike.
8. Kompanitë mbajnë përgjegjësi për dëmet që shkaktojnë.
Kompanitë janë financiarisht dhe ligjërisht përgjegjëse për praktikat e tyre të biznesit. Legjislacioni global, i detyrueshëm dhe i zbatueshëm, rregullon industrinë e modës për të mbrojtur të drejtat e punëtorëve, për të parandaluar dëmet sociale dhe mjedisore dhe për të adresuar shkeljet e të drejtave. Çdo punëtor dëmshpërblehet kur i bëhet padrejtësi. Përtej ligjit, marrëveshjet detyruese me markat dhe programet e mbrojtjes sociale i mbajnë ato përgjegjëse. Transparenca e detyrueshme e bën të lehtë verifikimin e pretendimeve të markave dhe kërkimin e drejtësisë.
9. Veshjet vlerësohen.
Në një kulturë të re të kujdesit dhe ruajtjes, rrobat çmohen si shprehje respekti për njerëzit që i kanë prodhuar. Ato vishen sërish, riparohen, rishiten, shkëmbehen, rikrijohen, riciklohen dhe qarkullojnë përsëri. Punëtorët që mbledhin, klasifikojnë, asgjësojnë dhe riciklojnë veshjet nuk lihen të përballen vetëm me mbetjet e industrisë së modës. Markat mbajnë përgjegjësi për të gjithë ciklin jetësor të produkteve të tyre, nga dizajni deri te asgjësimi. Rrobat hidhen gjithnjë e më rrallë.